XHAMIA E MURADIES VLORE

Xhamia e Muradies ndodhet ne qender te qytetit te Vlores , afer Sheshit te Flamurit. Objekti eshte ndertuar ne vitin 1542 nga arkitekte shqiptare te asaj kohe.

Kjo vepër e lartë me një kupolë me përmasa 11×20 në çdo anë, është ndërtuar me një ndërthurje të tullave me gurin. Ajo ka një shtresë të hollë me tulla dhe mbi to një shtresë me blloqe gëlqerore në ngjyrë gri. Nga pjesa e poshtme e saj ngrihet një tambur 12 këndesh, i cili ndahet nga trupi i xhamisë me një kornizë anësore. 12 këndeshi vazhdon në tambur dhe pjesërisht maskon harkun e kupolës. Një kornizë e dytë e ndan atë nga pjesa e poshtme e ndërtesës. Karakteristikë e xhamisë së Muradies (që shpesh quhet xhamia e “Plumbit”) është lartësia e tamburit, gjë që tregon se ajo i përket periudhës më të hershme të ndërtimeve islame në Shqipëri.

Hyrja e xhamisë është punuar me mermer dhe pranë derës është ndërtuar një hark i gdhendur  me finesë. Xhamia sot paraqitet pa verandë. Me siguri duhet të ketë pasur një verandë druri sepse gjurmët e lehta të saj duken mbi mure. Ka mundësi që kjo verandë të jetë prishur gjatë riparimit të xhamisë para Luftës së Dytë Botërore.

Nuk janë ruajtur mbishkrime mbi themeluesin e xhamisë së Vlorës dhe datën e saktë të ndërtimit të saj, kështu që mund të bëhen vetëm supozime. Vetë emri i saj Muradie – Murat, na flet për dikë. Nuk ka mundësi të bëhet fjalë për emrin e Sulltan Muratit të parë, sepse ai ka vdekur shumë kohë para marrjes së Vlorës. Ndoshta bëhet fjalë për Muratin e tretë, por emri i tij nuk lidhet me ndonjë ngjarje konkrete të qytetit. Stili i ndërtesës daton ndërtimin e saj. Sipas këtij stili ajo i përket gjysmës së parë të shekullit të gjashtëmbëdhjetë. Ka disa autorë, të cilët nisur nga emri i saj, e kanë datuar këtë xhami në gjysmën e parë të shekullit të pesëmbëdhjetë. Në të vërtetë po të shohim jo vetëm karakteristikat stilistikore që i përkasin shekullit të gjashtëmbëdhjetë, por edhe të nisur nga faktet se deri në vitin 1537 në Vlorë nuk kishte asnjë përqendrim osman dhe asnjë popullsi myslimane, ajo nuk mund t’i përkasë versionit të ndërtimit në shekullin e pesëmbëdhjetë. Nevoja për këtë vepër kulti do të ketë lindur jo më parë se viti 1582, ku sulltan Sulejmani urdhëroi ndërtimin e kështjellës në Vlorë (ku është sot territori i stadiumit “Flamurtari”) dhe një pjesë e madhe e myslimanëve u përqendruan këtu. Studiuesit shqiptarë kanë dhënë mendimin se ky emër i është dhënë xhamisë shumë vonë, vetëm në fillim të shekullit tonë. Më parë kjo xhami do të jetë quajtur, ashtu si dhe xhamitë e tjera në Shqipëri, me emrin Xhamia e “Plumbit”.

Kjo xhami vite më parë iu nënshtrua një rikonstruksioni, duke përfshirë: dyshemenë dhe instalimet elektrike bashkëkohore të brendshme, dritare e dera e minares, dy dyert e jashtme, hajatin dhe korridorin e jashtëm e shkallët e saj, riparimi i çatisë, gërvishtja e gurëve nga jashtë si dhe mafili i punuar artistikisht me dru dhe lyerja e brendshme. I gjithë rikonstruksioni i nevojshëm është bërë duke mos prekur konstruksionin muzeal të institucionit e duke e bërë kështu më funksional. Këto ndërhyrje ishin të nevojshme, pasi ngjarjet e vitit të mbrapshtë 1997 e bënë këtë xhami “poligon qitje” me qëllim që ta shkatërronin e ta digjnin sipas një plani të Komitetit të Shpëtimit (lexo: shkatërrimit), e vënë në jetë nga njerëz të pandërgjegjshëm, me maska e anti-islamë. Por rinia qytetare vlonjate e frymëzuar me ideale të larta islame dhe atdhetare, mundi ta shpëtojë këtë xhami nga djegia e shkatërrimi. Megjithatë dera e jashtme dhe e brendshme e xhamisë u shkatërruan dhe u bënë të papërdorshme. Xhamia e veçanërisht minarja u godit me kallashnikov, ndërsa dritaret u goditën me gurë e tulla. Në këto kushte rikonstruksioni i këtij institucioni u bë shumë i nevojshëm, për të mos thënë domosdoshmëri.

Rrethimi i jashtëm me hekur të përpunuar nga Instituti i Monumenteve – Dega Vlorë, në nëntor 2002, e ka bërë më të paraqitshme këtë xhami për çdo qytetar e vizitor.

Mendohet që projekti i saj të jetë vepër e arkitektit gjenial me origjinë shqiptare Hoxha Mimar Sinani. Me detyrën e arkitektit të fortifikatave dhe kështjellave, Sinani priti në Vlorë ardhjen e sulltanit që po përgatitej për pushtimet në Itali. Sulltan Sulejmani erdhi në Shqipëri dhe inspektoi punimet e kryera. Gjatë qëndrimit në Vlorë, sulltani urdhëroi arkitektin që të ndërtonte një xhami të madhe.

Udhëtari turk Evlia Celebia në veprën e tij të udhëtimeve në Rumeli (1640-1671) e përmend këtë faktor historik dhe citon një mbishkrim që kishte lexuar mbi portën nga Kibla. Sipas deshifrimit të rreshtit të fundit të këtij mbishkrimi thuhet: “Drita e Zotit i mjafton kësaj xhamie”, përcaktohet data e ndërtimit në pranverë të viti 949 hixhri, që i takon viti 1541.

Evlia Celebia është dëshmitar dhe kronikan i zhvillimeve islame në Shqipëri. Kontributi i tij është i jashtëzakonshëm, ai është kronikani i vetëm i zhvillimit islam të Shqipërisë në atë periudhë. Të dhënat që sjell Evlija Celebiu janë të çmuara dhe trajtojnë pothuajse të gjitha qendrat kryesore islame të Shqipërisë.

Kjo xhami dallohet për ritmin e shpërndarjes së kolonave, plastikën dekorative të muraturës dhe për minaren të gdhendur prej guri. Në pamjen e saj të vjetër xhamia është trajtuar me përkujdesje konservuese dhe është integruar me përparësi në planin rregullator të qytetit.

Në cilësitë arkitektonike dhe lartësinë e saj kjo xhami u bën nder mjeshtërve shqiptarë që realizuan vepra të bukura e të dobishme për jetën e kulturën e vendit të tyre dhe një shembull shprehës për historinë e arkitekturës shqiptare.

Marre nga www.dritaislame.al





0 Commenti

Posta un commento

Related Posts with Thumbnails
Gli autori del blog dichiarano di non essere responsabili per i commenti inseriti dai lettori. Gli autori si impegnano a cancellare nei limiti delle possibilità i commenti lesivi dell'immagine o dell'onorabilità di persone terze. Qualora dovesse sfuggire la cancellazione di commenti lesivi lo si comunichi all'indirizzo e-mail: info@vacanzeinalbania.info