TURIZMI MALOR: VOSKOPOJA

Voskopoja vitet e fundit është kthyer në një ambient shumë i veçantë për turizmin malor. Pozita gjeografike e përshtatshme e ka shndërruar në një pikë të kërkuar jo vetëm nga turistët vendas, por edhe nga ato të huaj. Turistët një interes të veçantë shprehin jo vetëm për bukuritë natyrore dhe klimën e përshtatshme, por edhe për vlerat unike kulturore që fshihen në kishat, shtypshkronjën, si dhe në gërmadhat e objekteve të vjetra, ku fshihen vlera, kulturë dhe dije shekullore. Ndaj kjo qytezë që ka qenë vatër e qytetërim është më e preferuar kryesisht nga persona vip, të cilët vitet e fundit kanë preferuar që të festojnë Vitin e Ri në petkun e bardhë të borës.
Dhe të izoluar nga syri i kureshtarëve këtë e pohojnë vetë banorët, të cilët kanë shuar kureshtjen e të parit nga afër të personave të ekranit. Voskopoja është një vendbanim mesjetar i hershëm, që daton prej vitit 1330. Nga Shën Prodhomi hapet para vizitorit një pamje e mahnitshme, nga duken majat e Lënies dhe Ostrovica, me një lartësi prej 2246 metra. Lulëzimin më të madh Voskopoja e ka pasur në vitin 1764, atëherë kur popullsia e saj arriti në rreth 30 mijë banorë. Në atë periudhë kishte 25 kisha me afreske nga më të lakmuarat, ndërsa tani nuk kanë mbetur më shumë se 8 kisha.Në të njëjtën periudhë në këtë qytetërim ka pasur Akademi, Bibliotekë, Shtypshkronjë, 1720, artizanat të zhvilluar e tekstile. Ajo shërbeu si urë lidhëse jo vetëm brenda vendit, por edhe midis vendeve fqinje si Greqi e Turqi. Shkatërrimin e parë e ka pasur në vitin 1769, të dytin më 1789 dhe të tretin në 1916. Voskopoja ruan vlera të mëdha të artit mesjetar.

Vlerat kulturore
Voskopoja është shënjestra e ithtarëve të kishave, qofshin restauratorë, qofshin vjedhës. Çdo vit ato nuk i shpëtojnë babëzisë së njeriut që kërkon të pasurohet duke shitur pronën e këtij qytetërimi të hershëm. Aktualisht në fshat kanë mbijetuar 8 kisha që nuk mund të konsiderohen aspak në gjendje të mirë. Kisha e Shën Ilias është e dëmtuar dhe pritet që të merret në dorëzim nga një shoqatë franceze, për t’u restauruar. Këto objekte me vlera historike nuk i kanë shpëtuar as fatkeqësive të natyrës, motit të keq, lagështisë, shiut dhe dëborës që po i shkatërrojnë nga dita në ditë kulturën disa shekullore që mbartin mbi supe. Me mbështetjen amerikane si dhe interesimin e seksionit francez “Patrimone Sans Frontiere” (Trashëgimi pa kufi) filloi restaurimi i kishave më 2003, që mund të vazhdojë edhe për 5 vjet të tjerë. Të vetmet ndihma të dhëna për këto kisha kanë qenë edhe fondet e kufizuara nga Instituti i Monumenteve të Kulturës, apo të ndonjë shoqate tjetër.

Turizmi në Voskopojë
Ish-Kampi i Pionierëve në këtë zonë është shndërruar prej disa vjetësh në pikën e vetme, ku mund të gjesh kushtet e nevojshme për turizëm malor. Hoteli te ish-Kampi me një vendndodhje mes pishash të shumta, është pagëzuar me emrin ‘Akademia’. Ndërtuar që në vitin 1954, vitet e fundit është restauruar duke i dhënë një stil unik, në harmoni me natyrën përreth, me një pistë në qendër të sipërfaqes së tij. Pika është e frekuentuar gjithmonë jo vetëm nga njerëz aktivë, që duan natyrën dhe sportet, por edhe nga vizitorë që çmojnë qetësinë dhe relaksin që ofron largësia e pikës nga pjesa tjetër e banuar. ‘Akademia’ ka një numër të kufizuar dhomash, 28, por jo gjithnjë është plot. Pushuesit nuk qëndrojnë shumë gjatë, por me periudha një javore. Hoteli ka parkim, kënd lojërash, kënd sportiv basketbolli dhe mini-futbolli.

Lojrat dimërore
Në dimër funksionon Pista e Skive dhe zhvillohen garat e famshme rajonale. Në të janë zhvilluar gjithmonë edhe kampionate kombëtare. Është një nga vendet e rralla ku mund të zhvillohen këto lloje sportesh dimërore, por ende mungon iniciativa për ta zgjeruar dhe çuar më tej turizmin alpin dhe sportin dimëror. Banorët e fshatit mirëpresin idetë e reja dhe shprehen të gatshëm madje të ndihmojnë në zhvillimin e shërbimeve turistike, që në fund të fundit do t’i shërbenin zhvillimit të zonës dhe do të ishin edhe një mundësi më shumë punësimi për vendasit. Ajo që mungon është investimi konkret i fondeve dhe projekteve, që do t’ia ndryshonin destinacionin këtij djepi të hershëm të qytetërimit e do ta kthenin në një vend akoma më të lakmuar për pushuesit.





Etichette:
0 Commenti

Posta un commento

Related Posts with Thumbnails
Gli autori del blog dichiarano di non essere responsabili per i commenti inseriti dai lettori. Gli autori si impegnano a cancellare nei limiti delle possibilità i commenti lesivi dell'immagine o dell'onorabilità di persone terze. Qualora dovesse sfuggire la cancellazione di commenti lesivi lo si comunichi all'indirizzo e-mail: info@vacanzeinalbania.info