QYTETI I DURRESIT

Durrësi është qyteti i dytë më i madh në Shqipëri. Qyteti ka mbi 200,000 banorë dhe njëherit është qendra e prefekturës dhe qarkut të Durrësit. Është një nga qytetet më të lashtë dhe më të rëndësishëm ekonomikë të Shqipërisë. Durrësi është i vendosur në bregdetin qëndror shqiptar, rreth 33 km (21 mi), në perëndim të kryeqytetit Tiranë. Ai ndodhet në një nga pikat më të ngushta të Detit Adriatik, përballë porteve italiane të Barit (300 km/186 mi larg) dhe Brindisit (200 km/124 mi larg). Qyteti i Durrësit është i populluar nga rreth 202.000 banorë(me të dhënat e vitit 2009). Në qytetin e Durrësit ndodhet universiteti më i ri publik në Shqipëri quajtur Aleksandër Moisiu.

Prejardhja e emrit

Dyrrahu,- Nipi i Epidamnit. E lindi Melisa, bija e Epidamnit, me hyun e detit. Në krahasim me gjyshin, Dyrrahu edhe lindjen e ka gjysëm të hyjnizuar. Këtu me rëndësi është e dhëna që jep Stefan Bizantini se më përpara me emrin Dyrrah është quajtur gadishulli ku u ndërtua fillimisht qyteti. Më pas, në një dorë të dytë ndërtimi, limani i poshtëm i qytetit u quajt Dyrrah. Me kalimin e kohës, mbas një bashkëjetese të emrave, emri Dyrrah u bë sundues (çka ka mundësi të jetë edhe refleks i një binomi të kultit të Epidamnit e të Dyrrahut njëkohësisht; më tej emri Dyrrah u bë përfundimtar. Theksojmë origjinën e kultit të Dyrrahut nga bota e mitologjisë detare, siç ka ndodhur me shumë legjenda të tjera ilire. Epidamni,- Hero-kulti i taulantëve, të cilët e mbajnë si themelues të qytetit, në të vërtetë përpara ardhjes së kolonistëve dorë të vitit 627 para erës sonë. Legjenda e jep si mbret të "barbarëve" (kupto: "taulantëve"), që u kultëzua si krijues jo vetëm i qytetit, por edhe i gjenealogjisë legjendare të dinastisë mbretërore ilire me qendërqytetin dhe me arealin e tij të gjerë.

Në këtë rast kemi një hero vendas, jo një hyjni në kuptimin e vërtetë të fjalës. Krijimi i kultit të tij është në natyrën e krijimit të miteve të heronjve, të hyjnizimit të kultit të të parëve. I njëjti proces ka ndodhur në krijimin e shumë legjendave ilire. Kështu, Stefan Bizantini shënon legjendën e emërtimit të liburnëve sipas një heroi me emrin Liburn, legjendën e emërtimit të Ambrakisë sipas Ambrakut, të birit të Thesprotit të Laokonit (në një variant të dytë nga Ambrakia, vajza e Egjeut), të mbiquajtjes së krahinës së molosëve Afeidantes nga mbreti Afeidas, i Hellopisë nga Hellopi, i biri i Jonit (një legjendë tjetër shënon se Hellopia quhej dhe krahina rreth Dodonës molose e banorët e saj quheshin helloi dhe selloi), të qytetit të Efyras nga emri Efryrit, të birit të Amarakut të Thesprotit, të qytetit Lynkos të Epidamnit është tipologjik për këto lloj legjendash. Ky kult dokumentohet i fortë edhe në kohën kur qyteti quhej me emrin Dyrrah, sepse është zbuluar një monument i një personi me pushtet në këtë qytet në shekullin II të erës sonë, që quhej Syr Epidamni, në emrin e të cilit Leon Hezej me të drejtë sheh një jehonë të kultit të stërgjyshit legjendar ilir, të themeluesit të parë. Prokopi i Gazës në "Panagjerikun" kushtuar perandorit të Bizantit Aleks Durrsakut, me origjinë nga ky qytet, thotë shprehimisht se këtu "lindi heroi vendas, që i dha emrin qytetit". Pra, në shekullin V e VI është i gjallë kulti i Epidamnit. Bile deri në shekullin XI Ana Komnena e përmend jehonën e këtij emri me atribute mitologjike.

Natyrisht Epidamni nuk hyn në "elitën" e panteonit ilir: më tepër se një hyjni të mirëfilltë, kemi një njeri të vdekshëm të hyjnizuar. Se ç'rol ka luajtur kulti i tij sot nuk jemi në gjendje të përgjigjemi me hollësi.

Historia

Durrësi mund të krahasohet me qytetet më të mëdha të Mesdheut të lashtë dhe mesjetar. Qyteti Dyrrah u ndërtua nga Ilirët Taulantë, dallëndyshasit në shekujt XIII-XI p.K. Banorët e parë të Dyrrahut, para ilirëve të quajtur protoilir, pellazgë, ngritën në rrethinat e këtij qyteti, vendbanimet e para parahistorike. Në kushtet e një klime mesdhetare, vendi më i përshtatshëm për banim ishte ajo e lumit Erzen (Ululeus) si dhe Ultësira Perëndimore përreth saj. Në bregdetin e Gjirit te Durrësit u vendos qëndra e parë apo limani me emrin Dyrrah. Sipas autorëve të lashtë, ky qytet u themelua nga dy mbretër me origjinë ilire të quajtur Dyrrah dhe Epidamn. Ai kishte edhe punishte të punimit të qeramikës, të metaleve, të pëlhurave të lëkurës, kantier për ndërtimin e anijeve etj. Dëshmi e zhvillimit të tregtisë janë monedhat prej bronzi e argjendi që janë prerë në Dyrrah. Ndërsa për lulëzimin urban dëshmon mozaiku i një dyshemeje, i quajtur Bukuroshja e Durrësit. Nga shekulli I-III e.s. qyteti i Dyrrahut përjetoi një periudhë lulëzimi, u bë qendër dhe porti kryesor i brigjeve të Adriatikut lindor.

Gjeografia

Durrësi është e vendosur në brigjet e detit Adriatik, rreth 30 kilometra (në vijë të drejtë) në perëndim të Tiranës. Sot, qyteti përhapet jashtë në vendbanimet e ndërtimeve në fushën nga lindja. Vendi është mjaft i ulët në jug gjirin e Durrësit.

Transporti

Durrësi ndodhet rreth 35 km larg Tiranës kryeqytetit të Shqipërisë. Është qendra e sistemit hekurudhor shqiptar. Gjithashtu Durrësi është edhe porti më i rëndësishëm në vend dhe lidhet me Italinë me anë të trageteve të linjës Durrës - Bari, Durrës - Ankona, Durrës - Trieste. Lidhet me Slloveninë me anë të tragetit të linjës Durrës - Kuper. Për më tepër Durrësi është edhe pikënisja e korridorit 8, si dhe kryqëzim i linjave më të rëndësishme të autorrugëve, ku më e rëndësishmja është linja Durrës - Kukës - Morinë e cila lidh Shqipërinë me Kosovën duke shkurtuar largësinë e udhëtimit.





Etichette:
0 Commenti

Posta un commento

Related Posts with Thumbnails
Gli autori del blog dichiarano di non essere responsabili per i commenti inseriti dai lettori. Gli autori si impegnano a cancellare nei limiti delle possibilità i commenti lesivi dell'immagine o dell'onorabilità di persone terze. Qualora dovesse sfuggire la cancellazione di commenti lesivi lo si comunichi all'indirizzo e-mail: info@vacanzeinalbania.info