KALAJA E KANINES

Qyteti i fortifikuar i Kaninës shtrihej mbi një kodër 379m mbi nivelin e detit në skaj të zonës malore në lindje të qytetit të Vlorës. Pozicioni strategjik i kodrës, afërsia me bregun e detit si dhe kushte të tjera ekonomike e politike kanë bërë të mundur ngritjen e një qyteti në këtë vend që në periudhën antike, muret e të cilit datohen në fillim të shekullit III para Kr.
Për herë të parë Kanina përmendet me emrin Kionin nga Prokopi i Cezaresë si një qytet në Epirin e vjetër, muret e të cilit i rindërtoi perandori Justinian I ( 527-565). Prania e mureve të periudhës së Justinianit në kalanë e Kaninës e bën më të besueshme identifikimin e saj me Kionin. Në mesjetë Kanina përmendet për herë të parë në vitin 1020 si qytet që bënte pjesë në dioqezën e Glavinicës. Në vitin 1081 qyteti u pushtua nga Normandët duke luajtur thjeshtë një funksion ushtarak ndërsa ai tregtar i kaloi qytetit fushor të Vlorës që ndodhej pranë tij. Në periudhën midis shekullit XI dhe XII Kanina u ngrit në rangun e një qendre peshkopale pas shuarjes së qendrës së vjetër peshkopale të Vlorës. Në vitin 1205 Kanina u përfshi në principatën veneciane të Durrësit, më vonë kaloi në vartësinë e despotit të Epirit, të Manfred Hohenshtauferit dhe të anzhuinëve deri në vitin 1284 kur u kthye përsëri nën Bizantin. Në vitet 1345-46 Kanina u pushtua nga serbët dhe mbeti nën despotatin serb të Vlorës dhe Kaninës deri në vitin 1372 kur ra në duart e Balshajve. Në vitin 1400 qyteti ishte nën venecianët dhe më 1417 u pushtua nga turqit të cilët e bënë qendrën e vilajetit me të njejtin emër. Në vitin 1690 himarjotët bashkë me një repart venedikas çliruan qytetin e Vlorës dhe Kaninës të cilat ranë përsëri në duar të turqve pas një rrethimi gjashtë mujor. Para tërheqjes venecianët hodhën në erë fortifikimet e Kaninës.
Muret mbrojtëse të Kaninës rrethojnë një sipërfaqe prej 3.5 ha. në pjesën e sipërme të kodrës. Qyteti ndahej nga muret në tre pjesë prej të cilave ndarja e mesit ruhej deri rreth mesit të shekullit XIX. Tani kalaja përbëhet nga kështjella me një sipërfaqe prej 0,5 ha dhe pjesa e jashtëme e mureve të qytetit. Nga 14 kulla që ruheshin deri në fund të shekullit 17 sot kanë mbetur vetëm 7. Kalaja ka patur katër hyrje prej të cilave njëra lidhte kështjellën me pjesën e fortifikuar të qytetit. Brenda mureve ruhen ende disa zisterna, prej të cilave ndonjëra i përket perjudhës anzhuine (shek.XIII).Muret e kalasë tregojnë për periudha të ndryshme ndërtimi edhe gjatë mesjetës , duke filluar nga shekulli X deri në shekullin XVIII.

nga Gjerak Karaiskaj(historian dhe specialist i monumenteve në Shqipëri)





Etichette:
0 Commenti

Posta un commento

Related Posts with Thumbnails
Gli autori del blog dichiarano di non essere responsabili per i commenti inseriti dai lettori. Gli autori si impegnano a cancellare nei limiti delle possibilità i commenti lesivi dell'immagine o dell'onorabilità di persone terze. Qualora dovesse sfuggire la cancellazione di commenti lesivi lo si comunichi all'indirizzo e-mail: info@vacanzeinalbania.info