Kalaja e Grazhdanit, Zbulohet një portë madhështore prej 1 mijë metrash katrorë

Admirina Peçi

Thuajse larg syve të vizitorëve, në heshtje të plotë, kalaja madhështore e Grazhdanit në afërsi të Maqellarës në Dibër, fsheh qindra surpriza nga bota antike. Është kalaja më e madhe në Shqipëri, e mbase edhe në Ballkan. E ngritur në një sipërfaqe prej 34 hektarësh, me një mur rrethues prej 3.5 kilometrash të gjatë, ajo mund të krahasohet lehtësisht me qendra të mëdha antike si ajo e Bylisit apo Butrintit. Që nga udhëtimet e famshme të albanologut të madh gjerman Johan George Von Han, i cili e përshkruan këtë objekt në shënimet e tij, në vitet në vijim përgjatë gjithë shekullit të kaluar kalaja e Grazhdanit ka qëndruar thuajse në heshtje e larg interesit të arkeologëve. Por sinjale të fundit që vijnë nga ky objekt, pas disa ekspeditave zhvilluar në këtë qendër, zgjojnë një interes mjaft të madh. Arkeologu Luan Perzhita ka një lidhje të veçantë me këtë kala. Që nga viti 2000 e deri më sot, ai ka tentuar disa herë të bëjë gërmime arkeologjike aty. Por vetëm vitin e kaluar u hap rruga përmes mbështetjes së Ambasadës Amerikane në Shqipëri, që aty të zhvillohen një varg ekspeditash, ku më e fundit sapo ka përfunduar. Për rezultatet e këtyre gërmimeve, të cilat kanë qenë vërtet befasuese, arkeologu Luan Perzhita na njeh imtësisht në këtë intervistë.


Kalaja e Grazhdanit, është kthyer befas në vëmendjen e specialistëve të arkeologjisë. I lënë në heshtje prej shumë vitesh, ky monument është gati i panjohur për publikun e gjerë. Cili është historiku i gjurmimeve në këtë kala?
Kalaja e Grazhdanit është monumenti antik më i madh, që kemi ne aktualisht në Shqipëri mbase dhe në Ballkan. E themi këtë jo vetëm nga madhësia e këtij monumenti, me një sipërfaqe rreth 34 hektarë, e cila mund të krahasohet me Butrintin, Bylisin dhe qendra të tjera antike, apo gjatësia prej 3.5 km e mureve që e qarkojnë gjithë këtë sipërfaqe. Por kjo qendër ka rëndësi sepse ne mendojmë se ishte pikërisht ajo që në antikitet i dha emrin krahinës së Dibrës. Ky monument është njohur në literaturë nga udhëtimi që bëri Johan George Von Han, i cili shkroi për Grazhdanin në librin e tij "Udhëtim nga Danubi në Drin". Më pas kjo qendër u fiksua si monument i kulturës shqiptare në vitin 1963. E fill pas kësaj pati një heshtje kërkimesh, për të ardhur në vitin 1982, kur hapja e rrugës automobilistike nxori në sipërfaqe disa varre me objekte mesjetare, gjë që solli si kushtëzim një ekspeditë të shpejtë, për të parë se cila ishte gjendja e monumentit. Pas kësaj kohe monumenti i është nënshtruar shkatërrimit si rezultat i gërryerjeve natyrore, gjë që çoi në humbjen e një pjese të murit të anës veriore.
Ndërsa në vitet '89-'90 nga Institute i Monumenteve të kulturës u ndërmorën punime për pastrimin e mureve nga bimësia e zhvilluar aty, por edhe kjo dnërhyrje u ndërpre shumë shpejt.


Kur ka nisur interesi juaj si arkeolog për këtë qendër antike?
Në të vërtetë ka nisur në vitin 2000. Në atë kohë bashkë me një ekip fillova që të tregoj vëmendje për këtë kala kaq interesante. Zhvilluam disa gërmime të cilat kanë vijuar deri në vitin 2005. Bëmë gërmimin e portës jugore, një rilevim të ri të mureve të kalasë dhe zbuluam një pjesë të portës veriore. Natyrisht, kjo sipërfaqe kaq gjigante e kalasë së Grazhdanit si dhe gërmimet e pakta që ishin zhvilluar në këtë kala nuk mund të nxirrnin në dritë gjithë historinë e zhvillimit antik të kësaj qendre. Pra nevojiteshin të tjera gjurmime aty.


Këtu zë fill dhe angazhimi juaj më i fundit, apo jo, me dy-tri ekspedita. Ju sapo keni mbyllur gërmimet që zgjatën për afro dy muaj në këtë kala nga qershori deri ën fund të korrikut. Ç'të reja sollën?
Pata fatin që këtë vit nga fondi i ambasadorit amerikan në Shqipëri, për trashëgiminë kulturore të më jepej një grant prej 35 mijë dollarësh me qëllim vazhdimin e punës për konservimin dhe studimin arkeologjik, por tashmë tek porta lindore e kalasë, pikërisht atje ku kishin nisur në vitin 1982 të dilnin gjurmët e para të mureve dhe varrezave mesjetare. Në të vërtetë puna ka filluar që vitin e kaluar në muajin nëntor, për një periudhë të shkurtër, që u kufizua vetëm në pastrimin e dherave, e më pas u ricikluan në muajin mars. Por fushata më e madhe u bë në muajt qershor-korrik, afërsisht dy muaj gërmime, me një staf të kualifikuar, ku merrnin pjesë profesorë të fushës së arkeologjisë, asistentë, studentë të arkeologjisë si dhe një fuqi e madhe punëtore, prej më shumë se 40 vetë. Ajo që ne arritëm të zbulonim për këtë fushatë gërmimesh, na tregoi për ekzistencën e një porte madhështore të kalasë me një sipërfaqe prej 1 mijë metrash katrorë, e cila përbëhej nga dy kulla në formën e germës U, të dyja të gjata nga 24 metra dhe mes tyre hyrja me një gjerësi prej 9.2 metrash.

Ç'përfaqësojnë këto zbulime të reja?
Nga përmasat dhe ndërtimi arkitektonik kjo është një kullë e shekullit të katërt e ndërtuar në kohën e perandorit Kostandin i Madh, mjaft e rrallë në Shqipëri, pasi këto janë porta me hyrje monumentale me hark triumfi. Një e tillë ka qenë në fillim të rrugës Egnatia në Durrës. Një tjetër është në Via Appia në Romë.
Njëkohësisht gërmimi tregoi për okupimin e kësaj sipërfaqeje nga ndërtimi i një kishëze të vogël mortore dhe nekropolit. Duhet të sqarojmë se aty u zbuluan edhe materiale dhe pjesë arkitektonike që lidhen me periudhat e mëparshme. Është fjala këtu për disa bazamente gurësh që mendoj se janë të shekujve I dhe II pas Krishtit, gjë që tregon se në këtë vendbanim duhet të kërkojmë gjurmë më të hershme.


Zakonisht gërmimet në nekropole zbulojnë shumë elementë për ndërtimin e historisë së qendrës ku kryhen këto gërmime. Me ç'objekte u përballët gjatë kërkimeve në këtë nekropol? I ç'rëndësie është ai?
Në inventarin e varreve mesjetare ne gjetëm unaza me kryqe, byzylykë me kokë gjarpri, rrathë, etj. Gjithsesi deri tani ky nekropol përbëhet prej rreth 100 varresh dhe renditet ndër më të rëndësishmit sa i përket përkatësisë kohore të zbuluar viteve të fundit në Shqipëri. Varreza të tilla që fillojnë në shekullin e IX pas Krishtit dhe shtrihen në kohë deri në prag të pushtimit osman tregojnë kulturën e krishterë që mbizotëronte në atë kohë edhe në territoret verilindore të Shqipërisë.
Inventari i varreve flet qartazi se kjo kulturë ishte pjesë e asaj popullsie që ne jemi mësuar ta njohim me emrin arbër. Po ashtu kësaj periudhe (pra shek IX dhe XIV) i përket edhe transformimi i njërës kullë në kishë mortore, që do të thotë se aty kryheshin vetëm ceremonitë e fundit, ato mortore. Por njëkohësisht kjo tregon se në qytetin e Grazhdanit ne duhet të kërkojmë një monument kishtar shumë më të madh se ky që po përmendim pasi, kjo kishë nuk mund të luante rolin e primatit në këtë qytet me sipërfaqe kaq të madhe.

Sa e vizitueshme mund të jetë në të ardhmen kjo kala?
Ne kemi menduar se me kalimin e Rrugës së Arbrit, e cila pothuajse shkon në afërsi me qytetin antik të Grazhdanit ta kthejmë këtë qendër në një monument të vizitueshëm për turistët të huaj, për studentë të fushës së arkeologjisë, të arkitekturës për nxënësit e shkollave pasi kjo qendër përmban në vetvete vlera shumë të mëdha arkeologjike por edhe inxhinierike. Vetëm muret rrethuese 3.2 metër të gjera që qarkojnë gjithë sipërfaqen e kësaj kalaje plus 42 kullat që ka kalaja në një peizazh natyror mjaft të goditur, mendojmë se do të krijojë një kompleks të mahnitshëm për turizmin. Së dyti me ndërtimit e rrugës Dibër e Madhe -Peshkopi, kalaja e Grazhdanit, e cila ndodhet në kryqëzim, "rifiton" tashmë atë pozicion që kishte në antikitet, gjë për të cilën edhe u ndërtua, si një qendër që lidhte Dardaninë (Kosovën e sotme) me Maqedoninë (Dibra e madhe) dhe këtë të fundit me Trevalitan (Shkodra e sotme) dhe Epirin (Durrësin), të gjitha këto, provinca të Ilirisë në shekullin e IV.


Keni plane të tjera gërmimi në këtë monument?
Po, është programuar një tjetër ekspeditë kërkimesh në këtë qendër antike. Në muajin shtator në do të rikthehemi aty një ekspeditë të re së bashku me një ekip antropologësh të huaj.

 

Marre nga: www.balkanweb.com





Etichette:
0 Commenti

Posta un commento

Related Posts with Thumbnails
Gli autori del blog dichiarano di non essere responsabili per i commenti inseriti dai lettori. Gli autori si impegnano a cancellare nei limiti delle possibilità i commenti lesivi dell'immagine o dell'onorabilità di persone terze. Qualora dovesse sfuggire la cancellazione di commenti lesivi lo si comunichi all'indirizzo e-mail: info@vacanzeinalbania.info