Shqipëria turistike, shërbimet që ofrohen për vizitorët e huaj

Çfarë i nevojitet një turisti që zgjedh Shqipërinë

Ervin Koçi

Edhe Shqipëria mund të jetë një ndër shumë vendet e rajonit të Mesdheut që turizmin ta ketë si një ndër shtyllat kryesore të ekonomisë. Kjo konstatohet nga të dhënat e viteve të fundit, ku fluksi i turistëve, por edhe të ardhurat nga ky sektor, kanë ardhur në rritje. Por sa e aftë është Shqipëria që të ofrojë kushtet e përshtatshme për zhvillimin e një turizmi alla mesdhetar, cilat janë përgatitjet që po bën aktualisht industria turistike shqiptare, si dhe përse një turist i huaj duhet të zgjedhë pikërisht Shqipërinë për të kaluar pushimet e tij? Këto janë një mori pyetjesh që më poshtë do t’u japim përgjigje. Nga të dhënat e marra pranë Ministrisë së Turizmit, gjithnjë e më shumë turizmi po shndërrohet në furnizuesin kryesor të ekonomisë me të ardhura. Mirëpo si një nga sektorët ku pritet të përqendrohet rritja ekonomike e vendit në të ardhmen, turizmi ende nuk po e gjen veten në prioritetet e qeverisë sidomos në mbështetje me fonde.

Çfarë i nevojitet një turisti

Një turist i huaj, apo një grup turistësh që spontanisht zgjedhin Shqipërinë për të kaluar pushimet e tyre disaditore apo disajavore, mbi të gjitha kërkojnë siguri dhe çmime të leverdishme. Në lidhje me të parën, kushdo që vjen si vizitor apo turist në vendin tonë shikon se ka të bëjë me një popull paqësor, që për më tepër për të huajin apo mikun tregohet gjithmonë i gatshëm ta ndihmojë (edhe atëherë kur nuk di gjuhën e tij). Në kryeqytetin shqiptar, Tiranë, me popullsi 800 mijë banorë, çdo turist i huaj, individ apo grup, mund të marrë një informacion paraprak për vendet, resortet turistike, çmimet e hoteleve, restoranteve, bareve apo dhe mjeteve të transportit. Mjafton një vizitë e shkurtër në agjencitë e shumta turistike në qendër të kryeqytetit (zona e ish-Bllokut dhe Rruga e Durrësit) dhe një turist mund të marrë në dorë broshura të tëra me informacione mbi turizmin shqiptar. Po kështu, kundrejt pagesave simbolike agjencitë turistike ofrojnë për turistët e huaj edhe guida (persona shoqërues) dhe përkthyes që mund të bëjnë njohjen e vizitorëve me realitetin e vendit. Hotelet dhe njësitë e tjera akomoduese si në kryeqytet, ashtu dhe në zonat bregdetare, nisin nga 20 euro nata dhe variojnë deri në 170 euro, sipas klasit dhe nivelit të shërbimit. Në Tiranë dhe në mbarë zonat turistike shqiptare do të mund të gjeni hotele që fillojnë nga dy yje deri në pesë yje, madje që ofrojnë edhe një mori shërbimesh ekstra. Por turizëm mund të bëhet edhe me pak para, pasi nuk mungojnë as vendet ku mund të sigurohet një shtëpi apo një dhomë me qira afër plazheve, si dhe shumë ushqim i bollshëm dhe kuzhinë nga të gjitha vendet, përfshi ato më ekzotike.

Si mund të lëvizë një turist

Shtetasit që vijnë nga vendet e Bashkimit Europian, por dhe nga Zvicra, Izraeli, SHBA-të, Kanadaja, Koreja e Jugut, Kroacia, Zelanda e Re, Turqia, Japonia dhe Malajzia, hyjnë pa vizë në territorin Shqiptar kundrejt një takse prej 10 eurosh, që paguhet në momentin e hyrjes. Në periudhën e sezonit turistik (1 qershor-30 shtator) hyjnë pa viza edhe shtetasit e vendeve të rajonit, si Serbia, Mali i Zi dhe Bosnjë-Hercegovina. Gjithashtu është e mundur që të hysh në territorin shqiptar edhe me një makinë, por duke deklaruar në doganë që do ta futësh mjetin përkohësisht (qëndrim i përkohshëm deri 1-mujor). Për këtë veprim duhet të marrësh një letër hyrjeje në pikën doganore nga je futur me mjet, dhe kur të dalësh duhet ta dorëzosh për të llogaritur taksën e qarkullimit (1 euro për makinat e cilindratës së mesme). Është e nevojshme gjithashtu pagimi i siguracionit të përkohshëm në kufi, që për 15 ditë kushton 50 euro. Mjetet më të frekuentuara për të lëvizur në Shqipëri janë furgonët privatë ose autobusët privatë dhe shtetërorë. Ky transport funksionon kryesisht gjatë ditës. Rrugët nuk janë në gjendjen më të mirë, por nga veriu në jug vendi përshkohet nga superstrada dhe përveç kësaj, edhe rajonet turistike dhe zonat më kryesore të vendit janë të lidhura nëpërmjet superstradave apo rrugëve të rehabilituara. Nëse doni të lëvizni me makinë, duhet të keni parasysh që pikat e karburantit janë të shumta në qendrat e banimit dhe të pakta në zonat rurale. Rrjeti i hekurudhave në vend është i kufizuar dhe vetëm i një klasi “C”. Trenat e udhëtarëve nisen çdo ditë dhe përshkojnë qytetet kryesore, por nuk ofrojnë komoditete apo shërbime ekstra përveç atij parësor (transportimit). Për të lëvizur në qytetet e mëdha mund të përdorni edhe mjetet e transportit publik, autobusët, por edhe taksitë. Kostoja e autobusëve varion nga 20-50 lekë. Gjithashtu taksitë kanë një kosto prej 2.5 eurosh (300 lekë).

Turizmi në të ardhmen

Në listën e vendeve që premtojnë rritje në sektorin e turizmit në dhjetë vitet e ardhshme, hartuar nga Këshilli Botëror i Turizmit dhe Udhëtimeve, Shqipëria ndodhet në 10 vendet e para. Masterplani i zhvillimit dhe menaxhimit të integruar të bregdetit të jugut përbën një sfidë për të ardhmen e turizmit shqiptar. Zhvillimi i zonës së bregdetit të Jugut bëhet duke pasur parasysh që mos të përsëritet përvoja negative e betonizimit të Golemit. Deri tani tradicionalisht ka qenë tregu i shqiptarëve nga Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi që ka furnizuar shërbimet turistike vendase. Vendet, që frekuentohen shpesh, vazhdojnë të mbeten ata që kanë qenë. Vendet e Mesdheut janë shumë të preferuar. Spanja, Italia dhe Greqia vazhdojnë të jenë në vendin e parë, tendencë kjo që tani për tani nuk pritet të ndryshojë. Por edhe udhëtimet e largëta për në Azi, Afrikë dhe Amerikë janë shumë të kërkuar për shkak të debatit aktual për mbrojtjen e klimës. Numri i udhëtarëve nga SHBA-të dhe Europa Perëndimore, të interesuar për eksplorimin e Europës Lindore nëpërmjet mjeteve lundruese, po rritet orë pas ore ka njoftuar Shoqata Ndërkombëtare e Linjave të Lundrimit. Portet e Shqipërisë, Greqisë, Turqisë, Malit të Zi dhe Kroacisë gjithnjë e më shumë po tërheqin turistë. Ritmet e kërkesës për portet e Adriatikut e sidomos ato shqiptare po pësojnë një rritje domethënëse njoftojnë të njëjtat burime. Turizmi në vendet e bllokut lindor po rritet me ritme shumë më të shpejta se në Europën Perëndimore.

Të ardhurat nga turizmi

Për 3-mujorin e kaluar (prill-qershor), të ardhurat nga turizmi arritën në 221 milionë euro, por në muajt në vazhdim shifrat do të shumëfishohen për shkak se sezoni turistik po arrin në kulimin e tij. Ndërkohë, Organizata Botërore e Turizmit i sugjeron Shqipërisë të ndjekë një model ndryshe të zhvillimit të turizmit nga Kroacia dhe Mali i Zi, modele që cilësohen jo fort të suksesshme në vijimësinë e industrisë turistike. Por pa u zgjidhur çështja e pronësisë në zonat turistike ka shumë pak shanse për tu ofruar investitorë seriozë e për rrjedhojë për të ofruar në një të ardhme shërbime konkurruese me vendet e tjera të rajonit. "Kakomeja" është tashmë një precedent për apel të të gjitha grupeve të interesit që të gjejnë zgjidhje emergjente për zhbllokimin e sektorit nga turizmi spontan. Në periudhën afatgjatë, me koncentrimin në turizmin e detit dhe plazhit, synohet të tërhiqet një numër i konsiderueshëm turistësh ndërkombëtarë kryesisht nga Europa. Por, ndërkohë rajoni ofron konkurrencë të madhe. Konkurrentët e drejtpërdrejtë janë Kroacia, Mali i Zi, Bullgaria, Greqia dhe Turqia, por gjithashtu dhe "destinacionet e pritshme" si Qiproja.




Etichette:
0 Commenti

Posta un commento

Related Posts with Thumbnails
Gli autori del blog dichiarano di non essere responsabili per i commenti inseriti dai lettori. Gli autori si impegnano a cancellare nei limiti delle possibilità i commenti lesivi dell'immagine o dell'onorabilità di persone terze. Qualora dovesse sfuggire la cancellazione di commenti lesivi lo si comunichi all'indirizzo e-mail: info@vacanzeinalbania.info